Petrit Alijaj është 23-vjeçari shqiptar, i cili është kthyer një hero për të dashurën e tij, duke i shpëtuar jetën në Nju Jork.
Sipas New York Post, i riu në tentativë për t’i shpëtuar jetën të dashurës, kur një person hodhi benzinë pranë një stacion treni, ka marrë lëndime të shumta në trup, kur ai hyri mes flakëve.
Petriti i fotografuar nga mediat e huaja, shfaqet i fashuar pothuajse i gjithi dhe mjekët i kanë thënë se ka djegie në 30% të trupit.
Pavarësisht plagëve të shumta në trup, Petriti nuk dorëzohet dhe thotë se do e bënte sërish për personin që dashuronte.
“Unë do e mbroj të dashurën me gjithë trupin tim”, tha ai për The Post.
Alijaj tregon se ishte në gjendje që të shpëtojë dhe jetë të tjera, edhe kushërirën e cila ndodhej në atë moment me të dashurën e tij.
“E preka veten për të shuar zjarrin, ndërsa vrapoja unë po digjesha”, shtoi viktima.
Në një moment, Alijaj arriti të shqyejë bluzën e tij që digjej. Ai fillimisht nuk mendoi se plagët do të ishin kaq të rënda, por kur mbërriti në spital mjeku i tha se kishte lëndime në qafë, vesh, gjoks, krahë dhe dorën e majtë. Falë Zotit, fytyra e tij është e padëmtuar. Alijaj tregon se ka rreth një vit që jeton në New York.