Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka diskutuar sot në Kuvend projekt-rezolutën kundër korrupsionit, duke theksuar se lufta kundër këtij fenomeni ka qenë një angazhim i vazhdueshëm që nga fillimi i mandatit të tij, por nuk duhet të harrojmë se gjysma e kabinetit të Ramës ndër vite, ndodhet në burg apo nën hetim për korrupsion. Në fjalën e tij, Rama kritikoi ashpër opozitën për qëndrimin e saj ndaj reformave, duke e përshkruar atë si një “luftë vulgare për pushtet” dhe duke theksuar se opozita shpesh përdorë taktika që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
“Lufta e nisur seriozisht 10 vite më parë kundër korrupsionit është e vërtetë. Ndaj kush rri dhe numëron, ‘u thirr ky dhe u arrestua ai’, duke e kthyer opozitën politike dhe mediatike në një llogore baltosjeje, thjesht do të zhytet vetë,” tha Rama. Ai shtoi se korrupsioni në Shqipëri është një “kancer i trashëguar” që ka nisur të zmbrapset falë reformave dhe heqjes së kontrollit politik mbi drejtësinë.
Gjatë fjalës, Rama bëri thirrje për mbështetjen e opozitës për këtë projekt-rezolutë, duke argumentuar se një miratim i saj do të ishte një hap kyç drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Nisëm që dëshmon se PS jo vetëm nuk ka lodhje me pushtetin apo vetëkënaqësi, por ka një fuqi të brendshme për ndryshimin e vendit dhe vetëndryshimin e vazhdueshëm që na bën edhe opozitë e vetme serioze e vetvetes,” theksoi ai.
Në fund, Rama parashikoi që, pavarësisht sfidave dhe mosmarrëveshjeve politike, flamuri shqiptar “doni apo jo ju do ngulet në oborrin e BE në Bruksel”.