60% e pronave të shitura gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar u blenë me kredi bankare. Sipas rezultateve të vrojtimit për tregun e pasurive të paluajtshme, të kryer nga Banka e Shqipërisë, pesha e pronave të blera me hua bankare u rrit më tej nga niveli prej 40% që ishte regjistruar në 6-mujorin e parë të vitit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 48.5 miliardë lekësh ose rreth 466 milionë eurosh vitin e kaluar. Kredia e re për banesa u rrit me 5.2% krahasuar me vitin 2022.
Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2023 arriti në pothuajse 177.2 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 6.3%.
Një pjesë e konsiderueshme e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme vjen nga sektori i biznesit dhe ky tregues i kredisë ka shënuar rritje të lartë gjatë vitit 2023. Me një stok prej rreth 160 miliardë lekësh, kredia e marrë nga bizneset për pasuri të paluajtshme deri në fund të vitit 2023 zinte rreth 38% të tepricës së kredisë së përgjithshme të bizneseve.
Ndërkohë, gjithmonë sipas rezultateve të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, rreth 26% të banesave të shitura gjatë 6-mujorit të dytë 2023 janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, 1/3 janë shtetas të vendeve jashtë BE-së.
Edhe pesha e blerjeve nga jorezidentët u rrit ndjeshëm krahasuar me nivelin 14% të 6-mujorit të parë 2023.
Numri total i pronave të shitura ishte 1,169 dhe ky numër ishte pothuajse i njëjtë me atë të
gjashtëmujorit të parë të vitit.
Numri i pronave të pashitura, si për banesa, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.
Sipas indeksit Fischer të llogaritur me frekuencë 6-mujore nga Banka e Shqipërisë, çmimet e banesave në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar pësuan rënie me 7.6% krahasuar me gjysmën e parë të vitit.
Megjithatë, me bazë vjetore çmimet rezultuan ende në rritje, por shkalla e rritjes vjetore u ngadalësua në 3.2%, nga 16.6% që kishte qenë rritja e tyre vjetore në fund të vitit 2022.
Indeksi i çmimeve për pronat e shitura në Tiranë regjistroi një rënie prej 10.1% ndaj 6-mujorit të parë të vitit, ndërsa ishte vetëm pak më i lartë në krahasim me vlerën e një viti më parë.
Pyetësori për tregun e pasurive të paluajtshme u hodh në terren në muajin nëntor të vitit 2023. Kampioni përmbante 230 shoqëri ndërtimi dhe agjentësh të tregtimit të pasurive të paluajtshme, të cilët përfaqësojnë rreth 75%-80% të popullatës së përgjithshme, sipas një përzgjedhjeje të bërë nga INSTAT-i, në bazë të numrit të të punësuarve dhe vlerës së xhiros vjetore. Pyetësori është plotësuar nga 168 subjekte ose nga 73% e kampionit./MONITOR