Klevis Balliu Akuzon Erion Veliajn për Abuzime në Tendera dhe Bashkëpunim me Deputetët Socialistë
Koordinatori rajonal i Tiranës për Partinë Demokratike, Klevis Balliu, ka bërë akuza të rënda ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si përgjegjës për abuzime në tendera dhe për bashkëpunim të dyshimtë me deputetë socialistë. Sipas Balliut, kompania Dajti Park 07, e cila dyshohet të jetë në pronësi të deputetit socialist Xhemal Qefalia, ka përfituar nga 1998 transaksione që kapin një vlerë prej 21.8 miliard lekësh.
“Dajti Park 07, një kompani në pronësi të familjarëve të deputetit socialist të Tiranës, Xhemal Qefalia, ka përfituar marrëveshje të dyshimta që nga viti 2014,” tha Balliu. Ai shtoi se kompania ka ndërruar emër disa herë, duke iu shmangur kështu përgjegjësive ligjore dhe duke vazhduar të fitojë tendera të mëdhenj.
Balliu gjithashtu theksoi se një nga tenderat e fundit që u mor nga kjo kompani ishte ai për rikonstruksionin e shkollës së mesme të bashkuar “Ymer Lala” në Surrel, ku nga shtatë ofertues u zgjodh pikërisht kompania e Qefalisë.
“Për këtë procedurë morën pjesë 7 ofertues dhe të gjithë u skualifikuan, përvec fituesit të paracaktuar ku bënte pjesë edhe kompania e Qefalive me 99% të vlerës limit,” theksoi Balliu.
Balliu akuzoi Veliajn për të drejtuar taksat arsimore tek bizneset private të familjeve të deputetëve socialistë për të ndarë paratë me ta. “Erion Veliaj ka vendosur që një pjesë të taksave arsimore i çon te inceneratori inekzistent dhe një pjesë tek bizneset private të familjeve të deputetëve socialistë për t’i ndarë paratë me ta,” deklaroi ai.
Partia Demokratike ka bërë thirrje për hapa urgjente nga institucionet ligjzbatuese për të adresuar këto çështje dhe ka paralajmëruar për më shumë protesta në ditët në vijim për të kundërshtuar këto veprime.