Gjykata e Apelit të Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar ankimin e 6 të pandehurve për inceneratorin e Elbasanit. Rreth një muaj më parë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ankimoi vendimin e GJKKO për Lefter Kokën, Pëllumb Abeshin, Jonida Zeqon, Mirel Mertirin, Stela Gugallian dhe Klodian Zoton. Kjo pasi GJKKO rrëzoi akuzën për “shpërdorim detyre” duke e dënuar ish-ministrin vetëm për korrupsion.
Apeli i GJKKO ka hedhur shortin dhe ankimi do të shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Igerta Hysi (kryesuese), Saida Dollani (Anëtare), dhe Iliriana Olldashi (Anëtare). Seanca do të mbahet më 5 qershor, në orën 11:30.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 16.05.2024, regjistroi çështjen penale nr. 35 regjistri themeltar, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimeve të ankuesve/të pandehur L.K., P.A., J.Z., M.M., S.G., K.Z., Shoqëria tregtare “*” sh.p.k., Shoqëria tregtare “*” sh.p.k., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 61, datë 05.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka deklaruar fajtorë të pandehurit për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 248-25, 245-25, 260, 287/2, 328-25 të Kodit Penal. Sipas shortit të datës 16.05.2024, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarja Igerta Hysi (kryesuese), Saida Dollani (Anëtare), dhe Iliriana Olldashi (Anëtare). Seanca gjyqësore publike është caktuar për më datë 05.06.2024, ora 11:30.