Policia e Milanos ka realizuar një operacion të rëndësishëm në luftën kundër trafikut të drogës, duke kapur tre persona: një italian 31-vjeç dhe dy shqiptarë, 42 dhe 39-vjeç. Arrestimi u bë pas një operacioni të planifikuar mirë të vëzhgimit. Gjatë operacionit, policia vëzhgoi një makinë ku udhëtonte 31-vjeçari italian duke dalë nga një garazh në Lainate dhe më pas duke u ndalur në Piazzale Kennedy në Varese, një zonë e njohur për parkimin e autobusëve që vijnë nga Shqipëria.
Aty, dy shqiptarët i dorëzuan italianit dy zarfe të mëdha të bardhë. Zarfet u vendosën në një ndarje të fshehtë të rrotave rezervë të bagazhit të makinës së tij. Pas kësaj, 31-vjeçari u largua dhe policia e ndoqi deri në Cerro Maggiore, ku u ndalua në një semafor të kuq dhe iu nënshtrua kontrollit.
Në ndarjen e fshehtë të makinës, policia zbuloi një fund të rremë ku ishin fshehur 20 blloqe kokainë që peshonin rreth 23 kg dhe 6 blloqe heroinë me peshë rreth 3.5 kg. Hetimet treguan se droga ishte destinuar për tregjet e drogës në zonat Loreto, Crescenzago, Lambrate dhe Forlanini të Milanos. Indikacionet për këtë destinacion u zbuluan nga lëvizjet e mëparshme të italianit dhe të dhënat e gjetura në celularin e tij.
Pas arrestimit, 31-vjeçari italian u dërgua në burgun e Busto Arsizio, ndërsa dy shqiptarët u dërguan në burgun e Vareses.