Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve, në lidhje me veprimtarinë e SPAK për vitin e kaluar. Dumani tha se gjatë vitit 2023 janë sekuestruar rreth 41 milionë euro pasuri, që kanë rrjedhur nga veprimtari kriminale. Kreu i SPAK, tha se grupet kriminale shqiptare janë shtrirë në trafikun e lëndëve narkotike, dhe kanë aftësi të zgjerojnë linjën e tyre dhe në vendet e Amerikës Latine.
Kreu i SPAK përsëriti shqetësimin e tij, për statusin e prokurorëve të posaçëm, pas përfundimit të mandatit të tyre 9-vjeçar, që me ligjin që është në fuqi aktualisht iu ndalon rikandidimin.
‘Do paraqes disa të dhëna për vitin 2023 dhe masat që ka marrë SPAK për përmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit. SPAK ka tregues sasior dhe cilësor të përmirësuar në raport me një vit më parë. Ka hetuar 863 materiale nga të cilat nuk është filluar hetimi penal për 103 materiale. 41 milionë euro sekuestrim pasurie. Në asnjë rrethanë nuk jemi inkuizitor. Detyra jonë është të hetojmë, po mbajmë në kujdes mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Shifrat janë kokëforta në lidhje me politikën tonë penale. Të paraburgosurat nga SPAK zënë më pak se 9%.
Niveli i bashkëpunimit ndërkombëtar është shumë i kënaqshëm, janë krijuar 32 skuadra bashkëpunimi, nga të cilat 25 janë ende aktive. Kemi kërkuar 25 kërkesë për ndihmë juridike jashtë vendit, ka rritje të subjekteve që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe të atyre që janë ekstraduar. Janë vendosur në regjim të posaçëm për disa eksponentë të dënuar. Duhet një përcaktim ligjor për statusin e prokurorëve të posaçëm, na duhen më shumë këshilltarë, ka mungesë të referimit nga organet ligjzbatuese, kemi nevojë për shtimin e hetuesve të BKH, si dhe një stok dosjesh të prapambetura.