Në mbledhjen e sotme në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi, palët kanë rënë dakord për kryerjen e vizitave teë përbashkëta në terren, për të parë zbatimin e kontratave koncensionare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale. Nga ana tjetër opozita dhe mazhoranca nuk kanë rënë ende dakord, për të zgjeruar periudhën e hetimit deri në vitin 2009, një kërkesë kjo e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, që kryesohen nga Plarent Ndreca.
Me vendim të dakordësuar, në dy javët e ardhshme deputetët e Komisionit Hetimor do të kryejnë vizita në Durrës, Shkodër, Lushnje, Vlorë dhe Spitalin e Traumës.
Ndërkohë në ditët e para të qershorit do të nisin thirrjet e dëshmitarëve. Të parët në radhë janë grupet e auditit të KLSH e më pas Nisma Thurje, e cila ka bërë një kallëzimin në Prokurorinë e Posaçme për kontratën e shërbimit të sterilizimit. Në vazhdim do të mbahen dëgjesa të tjera sipas listës së dëshmitarëve të miratuar në Planin Hetimor.
“Kemi diskutuar në lidhje me një plan vizitash. Është dakordësuar që këtë javë dhe tjetrën në vijim, ndërkohë që pritet përgjigjja e kërkesave, u kemi lënë kohë 7 ditë institucioneve, është propozuar plani për vizitat në terren. Është propozuar që të premten të zhvillojmë një vizitë në spitalin e Durrësit dhe më pas do të vendosim për vizitë në 1 ose 2 qendra shëndetësore apo laboratorë.
Të martën të bëjmë një vizitë te spitali i Traumës dhe do të diskutojmë nëse do të vizitojmë një qendër shëndetësore”, tha kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, ndërsa u ra dakord dhe për planin e dëgjesave.
“Sa i përket planit të dëgjesave. Sa kohë ende ka një ngërç në përcaktimin e objektit me kryesinë e vogël ne propozojmë që dëgjesat të fillojnë në 3 qershor. Të nisim ditën e hënë më datë 3 dëgjesat me anëtarët e grupeve të auditit të KLSH. Pra do t’i lëmë të gjithë ditën e hënë. PS ka propozuar disa emra të personave që kanë qenë pjesë e auditit të të gjithë raporteve që kanë të bëjnë me koncesionet e sterilizimit dhe check up. Të hënën do t’i lihet KLSH, ndërkohë që të martën do ftojmë Nismën Thurje që është dhe kallëzuesi në SPAK. Lista e propozuar e dëshmitarëve si nga opozita dhe maxhoranca është e gjatë. Ditët në vijim mund të kemi punë intensive kur të fillojnë dëgjesat. Do jetë e përditshme sepse kemi shumë dëshmitarë se bëhet fjalë për dy koncesione”, shtoi Vokshi.