Zbardhet dëshmia e parë Eduart Danajt, shqiptarit që vrau gruan, Enkelejda Danajt këtë të enjte në Greqi. Para efektivëve të Policisë ai ka deklaruar se nuk është penduar për krimin. Sipas mediave greke, 50-vjeçari pretendon se e ka kryer krimin, pasi gruaja e tradhtonte.
“Ajo po hante paratë e mia. Ajo kishte një lidhje jashtëmartesore për shumë vite me burra të ndryshëm. Nuk mund ta shihja të dashurin e saj duke drejtuar makinën dhe fotot e tij në Facebook”, ka thënë ai.
Eduart Danaj masakroi me thikë bashkëshorten e tij Enkelejda Danaj mëngjesin e kësaj të enjte. Sipas Policisë, gruaja ka marrë disa goditje me thikë, të cilat i shkaktuan dhe vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes. Pas krimit, Danaj është arratisur, duke u kapur pas disa orësh. Gruaja e kishte denoncuar tre herë për dhunë në familje Eduart Danaj. Ajo u gjet pa shenja jete nga banorët e pallatit, të cilët rrëfyen tmerrin. Në vendngjarje ka shkuar dhe vajza e çiftit, e cila ndodhet në gjendje shoku, nga ajo që ka parë.