Një 40-vjeçar, i identifikuar me inicialet E.H është vënë këtë të enjte nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, një ditë pas ngjarjes të regjistruar në një shkollë private, ku një 10-vjeçare u pickua nga gjarpri. Policia, përmes një njoftimi për mediat bën me dije se 40-vjeçari, është administrator i një firme që merret me dezinfektimin e ambienteve dhe dyshohet se nuk ka marrë masa për dezinfektimin e shkollës duke sjellë dhe pickimin e të mitures nga gjarpri.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të vajzës, mësohet se ajo është jashtë rrezikut për jetën. E mituara vijon të jetë e shtruar në reanimacionin e Pediatrisë, nën kujdesin e bluzave të bardha. Në momentin e ngjares, vajza ka qenë në ambientet e pasme të shkollës “World Akademi of Tirana” në Lundër, ku dhe është pickuar nga gjarpri.
NJOFTIMI I POLICISË:
U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm Tiranë, dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. H., 40 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një firme që merret me dezinfektimin e ambienteve. Ky shtetas, sipas kontratës së nënshkruar me një shkollë private në Lundër, dyshohet se nuk ka marrë masa për dezinfektimin e shkollës, dhe si pasojë një nxënëse, është pickuar nga një gjarpër.