Janë arrestuar autorët e atentatit të shqiptarit 33-vjeçar në Spanjë. Ngjarja ndodhi në 13 prill të këtij viti në Spanjë, ku shqiptari u qëllua rreth 10 herë me armë zjarri, duke mbetur i plagosur. Mediat e huaja raportojnë se hetuesit u përqendruan në “hesapet e drogës” si një shkaktar i mundshëm për incidentin.
Më 3 maj arrestuan dy persona me origjinë shqiptare në Sevilje, përfshirë autorin e dyshuar të të shtënave dhe një burrë me precedentë rrëmbimi, i cili dyshohet se ka nxjerrë në pritë viktimën. Më 8 maj u arrestua në Madrid një person i tretë me origjinë kolumbiane, i cili dyshohet se ka lehtësuar arratisjen me automjet të dy të tjerëve.
Raportohet se dy autorët shqiptarë janë më precedentë penal të mëparshme, për pengmarrje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa raportohet se janë pjesë e një organizate kriminale. Ndërkohë gjatë kontrollit në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar 12 mijë euro, disa celularë dhe dokumente të lidhura me hetimin. Të dyshuarit, dy prej të cilëve janë mbajtur në paraburgim, akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë, pjesmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim.