Zëdhënësja e Anti-Korrupsionit në PD e Rithemelimit, Genta Vangjeli ka kërkuar nga SPAK që të hetojë bizneset e bashkëshortit të ministres së Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj. Vangjeli ka publikuar të dhënat e QKR ku bashkëshorti i Delina Ibrahimajt rezulton të jetë drejtues i një hoteli në Qeparo, biznes i regjistruar ne emër të babait të tij.
Deklarata e Genta Vangjelit:
Edi Rama mesa duket është i vendosur që përpara se të largohet nga detyra e KM të sigurohet që të gjithë familjarët e ministrave të tij të pajisen me pasuri e biznese, bare e restorante por mbi të gjitha hotele në territore të lakmuara në bregdet. Ministrat e Ramës nuk bëjnë kujdes as t’i fshehin aktivitetet private të familjarëve të tyre për të shmangur konfliktin e interesit. I vetmi kujdes që tregojnë është për të fshehur plagosjet që bëjnë, siç është rasti i bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj, që u ‘arkivua’ nga policia pas presionit politik. Ibrahimaj duhet të ishte dorëhequr tashmë nga detyra publike për shkak fshehjes së veprës penale të kryer nga bashkëshorti i saj. Bashkëshorti ka disa aktivitete tregtare. Referuar vetëdeklarimeve pranë ILDKPI, bashkëshorti i saj Andri Përparim Ibrahimaj rezulton:
1. Drejtues në hotelin super luksoz me pronar babain e tij, ‘Atlantid Hospitality’ në Qeparo, në bregun e detit.
2. Pronar i subjektit tregtar ‘Baçja’ shpk me objekt ushtrim aktiviteti bar- restorant etj.
3. Pronar i subjektit tregtar ‘Red Field Farm’ shpk, me objekt Mbjellje, kultivim dhe tregtim fruta – perime te llojeve te ndryshme etj, me adresë në Kurbin.
4. Pronar i subjektit tjetër tregtar ‘Te Baçja’ shpk me nr tjetër identifikimi por me objekt e adresë të njëjtë të ushrimit të aktivitetit me sa më lart.
Është koha që Delina Ibrahimaj, së bashku me familjarët të sqarojë opinionin publik dhe SPAK, lidhur me: Burimin e të ardhurave dhe procedurat e kalimit të pronësisë së pasurisë nr.129/113-ND, volumi 12, faqe 187, zk.3095 në Qeparo,Vlorë, dhe procedurat ligjore që u ndoqën për ndërtimin e hotelit. Arsyen e shkeljes me vetëdije të ligjit me qëllim përfitimin personal e familjar”, theksoi zëdhënësja e anti-korrupsionit.