Analisti Andi Bushati ka komentuar situatën e drejtësisë së re në përvjetorin e saj. Në një intervistë për Syri Tv ai theksoi se drejtësia e re ka përpara dy antiteza që bien ndesh me standardet e duhura.
“Rastet e Antoneta Sevdarit dhe Irena Gjokës janë antiteza që tregojnë se si reforma jonë në drejtësi ngre lart njerëzit e përdorshëm dhe ndëshkon ata që nuk mund të kontrollohen për nevojat e pushtetit,” tha Bushati.
Në rastin e Irena Gjokës, Bushati vuri në dukje se ajo ka probleme të theksuara me pastërtinë e figurës, por nuk është kërkuar një hetim i thelluar.
“Te Gjoka kemi një mëkat të fshehur dhe ajo përdoret për gjykime politike ndaj opozitarëve. Pse nuk kërkuan hetim të pastërtisë së figurës kur gazeta greke nxori faktet? Sistemi mbron njerëzit me cene.”
Ndërsa për Antoneta Sevdarin, ai tha: “Kërkuan gjilpërën në kashtë vetëm për ta nxjerrë nga sistemi, siç akuzoi ajo në 2019-n, kur deklaroi se politikanët dhe grupet kriminale kishin lobuar për përjashtimin e saj.”
Bushati përfundoi: “Në Ditën e Drejtësisë, fatkeqësisht, kemi këtë antitezë të errët të përdorimit të drejtësisë me dy standarde.”