Bashkimi Evropian ka rënë dakord në parim për një marrëveshje sipas së cilës të përdorë të ardhurat nga pasuritë e ngrira të Rusisë për të furnizuar me armatime Ukrainën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, Uashingtoni dhe aleatët dëshirojnë që BE-ja të bëjë edhe më shumë.
Banka qendrore e Rusisë kishte llogari bankare dhe pasuri prej miliarda dollarësh në institucionet dhe kompanitë perëndimore.
Këto pasuri u ngrinë nga Perëndimi pasi Moska filloi sulmin në Ukrainë në shkurt 2022.
Rreth 70% e këtyre pasurive, me vlerë rreth 200 miliardë dollarë, mbahen në Bruksel në bankën Euroclear.
Shtetet e Bashkuara, së bashku me Britaninë dhe Kanadanë, kanë kërkuar që këto pasuri të sekuestrohen plotësisht dhe të përdoren për të ndihmuar Kievin në përballjen me forcat ruse.
Por, Evropa po bëhet më e kujdesshme. Ambasadorët evropianë që u takuan të mërkurën në Bruksel ranë dakord në parim për të përdorur vetëm interesat e mbledhura nga pasuritë ruse.
“Ajo për çfarë bëhet fjalë nuk është që të merren depozitat – por interesat, që arrijnë në 7 apo 8 miliardë dollarë në vit dhe që mund të përdoren për Ukrainën. Është një shumë e konsiderueshme, por tepër e vogël krahasuar me dëmin që Rusia i ka shkaktuar Ukrainës”, thotë Ian Bond, nga Qendra për Reformimin Evropian./VOA