Sulmet e fundit izraelite në Rafah, kanë çuar në mbylljen e disa prej qendrave mjekësore që deri më tani u kishin shërbyer rreth 1.3 milionë banorëve të Gazës që janë strehuar në qytetin jugor pët t’i shpëtuar luftimeve në zona të tjera. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një nga tre spitalet e mbetura në Rafah është mbyllur për shkak të mungesës së karburantit dhe energjisë elektrike të nevojshme për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale. Organizatat humanitare dhe ato të shëndetësisë paralajmëruan se një ofensivë në shkallë të gjerë nga Izraeli në Rafah do të kishte pasoja katastrofike dhe shtuan se është e pamundur zhvendosja në masë e popullsisë në mënyrë të sigurtë.
Ndërkohë, sot u nis drejt portit të përkohshëm të ndërtuar në Gazë nga Shtetet e Bashkuara ngarkesa e parë me ndihma humanitare. Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dha urdhër rreth dy muaj më parë për ndërtimin e platformës së madhe lundruese.
Pika kufitare e Rafahut, mes Egjiptit dhe Gazës është mbyllur që kur ushtria izraelite mori kontrollin e pjesës palestineze të martën, duke bllokuar hyrjen e ndihmave humanitare, për të cilat banorët kanë dëshpërimisht nevojë. Kombet e Bashkuara thonë se në veri të Gazës, popullata po përballet me zi buke. Lufta në Gazë ka detyruar mbi 80 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të zhvendoset dhe ka shkaktuar shkatërrim në masë të apartamenteve, spitaleve, xhamive dhe shkollave në një sërë qytetesh. Zyrtarë të shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, kanë njoftuar se numri i të vrarëve, si pasojë e ofensivës izraelite ka shkuar në 34,500 vetë.
Izraeli ndërmorri operacionin ushtarak, pas sulmit nga grupi Hamas, në 7 tetor, ku sipas autoritete izraelite u vranë 1200 persona dhe u morën peng 250 të tjerë./VOA