Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, uroi sot Gordana Siljanovska-Davkovan për zgjedhjen si Presidentja e parë femër e Maqedonisë së Veriut. Në një postim në rrjetin social X, ai shprehu besimin e tij për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Urime, Gordana Siljanovska-Davkova, e para grua e votuar si Presidente e RMV. Jam i bindur se së bashku do të forcojmë më tej marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira midis vendeve tona mike, si vende anëtare në NATO dhe anëtare të ardhshme në BE, për të cilën shqiptarët në RMV mbeten tërësisht të angazhuar,” shkroi Begaj.
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut
Partia VMRO-DPMNE po feston fitoren e thellë në zgjedhjet parlamentare dhe balotazhin për presidentin e vendit, votime që u mbajtën të mërkurën më 8 maj. Nga rreth 95 për qind e votave të numëruara, kjo parti rezulton të ketë fituar 59 vende në parlamentin prej 120 vendesh. Për formimin qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve.
Ndërkohë, kandidatja e VMRO-së për president, Gordana Siljanovska Davkova mori 520 mijë vota kundrejt 234 mijë votave që mori kandidati social-demokrat Stevo Pendarovski. Ky i fundit ia uroi fitoren zonjës Siljanovska – Davkova, ndërsa kritikoi, siç tha ai, “ata të cilët penguan mijëra qytetarë të marrin fletëvotimet për të votuar në balotazhin presidencial”, me gjasë duke aluduar për Bashkimin Demokratik për Integrim.