Një 39-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim nga autoritetet greke është arrestuar nga policia franceze. Bëhet fjalë për shtetasin Dritan Reka, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje.”
Sipas burimeve zyrtare të policisë greke dhe raportimeve të mediave vendase, Reka u arrestua në Francë pas një urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi kishte tentuar të vriste me armë zjarri shtetasin Konstantino Fotopoulo, një qitës profesionist 34-vjeçar i Marinës Ushtarake greke. Ngjarja ka ndodhur më 10 shtator 2023, rreth orës 04:53 të mëngjesit, jashtë një klubi nate të njohur si “Mylos Club” në Petroupoli të Athinës.
Burime të policisë greke sqarojnë se Dritan Reka qëlloi drejt Fotopoulos me një armë zjarri, duke e plagosur atë në këmbë. Pas sulmit, Reka u largua nga vendi i ngjarjes dhe u shpall në kërkim. Pas hetimeve intensive, policia greke bashkëpunoi me autoritetet franceze për të kapur të dyshuarin.
Reka rezulton me precedentë penalë në Greqi, përfshirë çështje droge dhe armëmbajtje pa leje. Arrestimi i tij konsiderohet një sukses i madh për forcat e rendit dhe do të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë. Tani, pritet ekstradimi i tij drejt Greqisë për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij.