Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar planin e rritjes prej 6 miliard eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor si një instrument për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon. Me këtë hap kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në fletoren zyrtare të BE-së, shkruajnë mediat e huaja.
Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat e specifikuar, në të kundërt fondet mund të pezullohen. Këshilli i Bashkimit Evropian tha se plani, i cili mbulon periudhën nga 2024 deri në 2027, pritet të sigurojë deri në 2.15 miliardë dollarë dhe 4.3 miliardë dollarë kredi.
Plani i Rritjes për rajonin
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të mbulojë periudhën midis vitit 2024 dhe 2027. Plani i Rritjes arrin shumën prej gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.
Në deklaratën e lëshuar nga Këshilli i BE-së, theksohet se qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në. Burimet financiare janë planifikuar për të mbështetur një sërë reformash socio-ekonomike dhe themelore, duke përfshirë reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.
Gjashtë vendet e rajonit Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë në faza të ndryshme në aplikimet e tyre për anëtarësim. Vendet u zotuan të përshtatin rregulloret doganore dhe të krijojnë kalime të përbashkëta kufitare si vendet anëtare të BE. Ata vendosën gjithashtu objektiva për të nisur qendrat e kërkimit dhe zhvillimit për industrinë dhe instalimin e Wi-Fi falas në vende publike.
Këshilli tha se një parakusht që Serbia dhe Kosova të marrin ndihmë është që “të angazhohen në mënyrë konstruktive me përparim të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”. Të dy vendet kanë thënë se duan të bashkohen me BE , por blloku ka paralajmëruar se refuzimi i tyre për të bërë kompromis po rrezikon shanset e tyre për anëtarësim.