Vladimir Putin u betua të martën si president i Rusisë për herë të pestë. Ceremonia u zhvillua në Pallatin e Madh të Kremlinit në Moskë dhe u bojkotua nga shumica e vendeve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë.
Në ceremoninë e inaugurimit munguan përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe shumica e vendeve të BE-së. Të pranishëm ishin zyrtarë të lartë rusë dhe personalitete të tjera.
Putin, 71 vjeç, ka qeverisur si president dhe kryeministër që nga viti 2000. Nëse e çon deri në fund mandatin e ri 6-vjeçar, ai do të tejkalojë udhëheqjen gati 30-vjeçare të diktatorit sovjetik, Josef Stalin, duke u bërë udhëheqësi më jetëgjatë rus në mbi dy shekuj.
Zgjedhjet e fundit presidenciale u kontrolluan nga Kremlini dhe nuk u panë si të lira apo të drejta. Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, tha: “Ne sigurisht që nuk i konsideruam ato zgjedhje as të lira dhe as të drejta, por ai është president i Rusisë dhe do të vazhdojë në këtë cilësi.”
Aleatët perëndimorë të Ukrainës po e ndëshkojnë Rusinë me një sërë sanksionesh pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, theksoi: “Ne besojmë se izolimi i Rusisë, e veçanërisht i liderit të saj kriminal, duhet të vazhdojë.”
Në fjalimin e tij, Putin tha: “Ne jemi një popull i bashkuar dhe i shkëlqyeshëm. Së bashku do t’i kapërcejmë të gjitha pengesat, do t’i realizojmë të gjitha planet tona dhe do të fitojmë.”
E veja e Aleksei Navalnyt, Yulia Navalnaya, shkroi në rrjetet sociale: “Vendi ynë po udhëhiqet nga një gënjeshtar, një hajdut dhe një vrasës. Por kësaj padyshim që do t’i vijë fundi.”