Shkodër – Pas ngjarjes tragjike që ndodhi në lumin Buna, banka e Ergesës dhe Grejsit në klasën e dytë të shkollës publike “Ndre Mjeda” është mbushur me lule në kujtim të tyre. Shokët dhe shoqet e klasës kanë sjellë lule për dy vajzat që humbën jetën tragjikisht.
Prindërit treguan sa e vështirë ishte për t’u shpjeguar fëmijëve pse sot duhet të shkonin në shkollë me lule në duar. Për këtë arsye, drejtuesit e shkollës kanë vendosur të zhvillojnë orë argëtuese në vend të mësimit të zakonshëm, për të ndihmuar fëmijët të përballojnë emocionet e rënda.
Një prej prindërve tha: “Vajza i kishte të dyja në klasë. Ishte shumë e vështirë. I thashë që kemi humbur dy shoqe sepse mami i la në Shirokë. Nuk mund t’ia shpjegoja ndryshe. Është një fatkeqësi e madhe.”
Një kushërirë e Almës, nënës së fëmijëve që humbën jetën, tha se nuk e kishte parë kurrë 39-vjeçaren të mërzitur, as fëmijët e saj. “Kemi qenë shoqe, si tip kushërirash bashkë, por çfarë të bëjmë, deri këtu e paska pasur të shkruar. Vajza ime nuk e kupton ende që nuk i ka më shoqet në klasë. Nuk e kam parë kurrë Almën të shqetësuar apo të stresuar. Fëmijët gjithashtu kanë qenë shumë të lumtur,” u shpreh ajo.
Kërkimet për nënën dhe djalin 3-vjeçar kanë vazhduar edhe në Malin e Zi. Ergesa Arrazi, 9 vjeç, u gjet e pajetë në lumin Buna, dhe dyshohet se është hedhur në lumë bashkë me nënën dhe dy vëllezërit e saj. Trupi i vajzës tjetër 8-vjeçare u gjet po ashtu dje.