Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar lidhur me situatën në pikën kufitare të Kapshticës, ku shqiptarët që po kthehen për festën e Pashkëve Ortodokse përballen me radhë të gjata dhe vonesa. Në një postim në rrjetet sociale, të shoqëruar me video, Blushi ka shprehur shqetësimin për fluksin e shtuar të njerëzve që pritet të vijojë dhe ka bërë thirrje për veprime nga institucionet për të lehtësuar kalimin në kufi.
Blushi shprehet në postimin e tij: “LIVE nga Kapshtica, në pikën e kalimit kufitar me Greqinë, për të ndjekur nga afër qarkullimin e bashkëkombasve tanë, të cilët po vijnë në Atdhe për të festuar Pashkën e Madhe ortodokse. Situata është e rëndë dhe raportimet bëjnë me dije se shtimi i fluksit në orët e ardhshme do ta bëjë edhe më të vështirë.”
Ai shton: “Vuajtjet e qytetarëve në rradhët kilometrike dhe vonesat burokratike në kufi, në Shqipërinë e vitit 2024 janë të patolerueshme! Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet, jo si njeri pa shtet dhe pa Atdhe!”
Në fund, Blushi u dërgon urime Pashkësh bashkëkombasve që po vijnë për të festuar në Shqipëri: “Gëzuar Pashkën! Shëndet, lumturi dhe mbarësi në familjet tuaja! Dramës së madhe të shpopullimit do t’i japim fund me 5 prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus!”