Dorjan Teliti, nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka kritikuar vendimin për të mbajtur mbledhjen e këshillit në formë online. Ai thotë se kjo është një përpjekje për të shuar zërin e opozitës: “Fjalën e lirë dhe shpirtin opozitar nuk e ndalojnë dot as me policinë e pushtetit as me shtetin policor.” Teliti shprehet i pakënaqur me mbylljen e shpejtë të mbledhjes, që zgjati vetëm 313 sekonda, dhe shton: “Këta kanë anulluar mbledhjen e zakonshme të këshillit bashkiak, ne duam të marrim pjesë edhe në mbledhjen online, por të hapin dyert e bashkisë, të lejohen këshilltarët të hyjnë brenda. Por ato duan që të mbyllin mbledhjen për 313 sekonda, pasi nuk duan të japin llogaridhënie.”
Teliti gjithashtu akuzon kryebashkiakun Erion Veliaj për keqmenaxhim dhe i referohet si “shembulli më i keq kundër interesit të popullit”.
Ilda Zhulali, një tjetër anëtare e Këshillit Bashkiak, akuzon drejtorët e Veliajt për vjedhje të taksave të qytetarëve. Ajo thotë: “Nuk ka mbetur njeri i madh dhe i vogël që nuk ka marrë vesh që janë vjedhur taksat e qytetarëve të Tiranës nga drejtorët e Erion Veliajt. Është i vetmi vend ku kjo nuk diskutohet, që këta nuk pyesin se ku përfunduan taksat e qytetarëve.” Sipas saj, paratë që shkojnë për inceneratorin që nuk funksionon, të cilat janë 80 mijë euro në ditë, do të ishin më të dobishme nëse do të investoheshin në infrastrukturën arsimore si shkolla, kopshte dhe çerdhe.