Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Goro dhe Aliaj ankimuan vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar duke kërkuar zëvendësim të masës, kërkesë kjo që është rrëzuar nga Apeli i Posaçëm. Ish-kryebashkiaku i Himarës u arrestua për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe tokë, që gjendet në fshatin Gjileke në Dhërmi.
Po ashtu, sipas SPAK Goro ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Igerta Hysi, sot më 30.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 17 akti, datë 25.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim J.G. dhe B.A., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 31, datë 23.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 34, datë 26.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi.
– Miratimin e vendimit nr. 31, datë 23.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 34, datë 26.03.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim J.G. dhe B.A.