Nuk ka ende asnjë gjurmë nga autori i tritolit në banesën e gjyqtarit Tonin Stërkaj në Shkodër. Me qëllim përparimin e hetimeve, policia njofton sot se do të ofrojë 30 mijë euro, për çdo qytetar që do të japë informacion në lidhje me autorin e vendosjes së tritolit në banesën e Stërkajt.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin, kur autori i maskuar dhe me dorëza vendos lëndën plasëse në banesën e gjyqtarit, dhe më pas bën të mundur dhe shpërthimin e saj. Ngjarja ndodhi më datë 28 prill, rreth orës 03:00 të mëngjesit në lagjen “Tom Kola”. (lexo këtu)
Sterkaj mban detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
“Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale, si dhe vijon punën intensivisht, për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë identifikimit të autorit/ëve, zbardhjes dhe dokumentimin të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
“Krahas veprimeve intensive të grupit hetimor, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e shtetasit që shfaqet në pamjet filmike të sekuestruara.
Për çdo informacion të vlefshëm që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të rastit, DVP Shkodër vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro”, thuhet më tej në njoftim.
Policia ka vënë në dispozicion dhe një numër telefoni ku qytetarët të cilët kanë informaciion mund të telefonojnë (069 41 05 436). Policia e Shtetit iu garanton anonimat të sigurtë.