Personi që shikoni në foton e mësipërme është gjyqtari Tonin Stërkaj, të cilit iu vendos tritol në banesë në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele.
Autori ka qenë me kapele në kokë dhe është afruar pranë portës së hekurt ku ka hedhur lëndën plasëse dhe është larguar sërish në këmbë, duke shfrytëzuar disa rrugica në zonë.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar ngjarjen dhe po ashtu janë marrë dhe pamjet e kamerave të tjera në zonë për të parë lëvizjet e autorit.
Në momentin e shpërthimit të lëndës plasëse, në banesë kanë qenë të gjithë familjarët e 62-vjeçarit.
Dyshimet e para lidhen me detyrën e Tonin Sterkajt si gjyqtar, megjithatë po hetohen dhe pista të tjera që mund të kenë lidhje me konflikte pronësie. Vetë gjyqtari ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë çështje madhore në shqyrtim dhe se së fundmi nuk ka marrë kërcënime që lidhen me detyrën e tij.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin në zonë. Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.