Gjykata e Apelit i ka ulur dy vjet burg Brisel Kurtmetajt, i cili tentoi që të vrasë me armë zjarri në 46-vjeçar në 2020 në Shirokë në Shkodër. Në vendimin e marrë nga trupa gjykuese me relator gjyqtarin Dritan Hasani dhe anëtare Brikena Ukperaj dhe Genti Shala, vendosi dënimin e Kurtmetajt me 8 vjet burg vetëm për dy akuza nga tre të ngritura nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, atë mbajtjes pa leje të armëve dhe vrasjes së mbetur në tentativë. Ndërsa akuza e tretë e prishjes së qetësisë publike ka rënë poshtë. Kurtmetaj në vitin 2020 qëlloi me armë në drejtim të një mjeti “Audi”, por që i plagosur mbeti një kalimtar.
NJOFTIMI I GJYKATËS:
Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit Brisel Kurtmetaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 76-22, 278/1 dhe 274 të Kodit Penal.
Fakti objekt akuze, lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 15.08.2020, ora 22:30, ku Salla Operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, është njoftuar se në Shirokë, Shkodër janë dëgjuar të shtëna armësh. Pas veprime të policisë, ka rezultuar së i pandehuri me iniciale B. K (G), kishte qëlluar me armë zjarri drejt automjetit në lëvizje të markës “Audi”, i cili po drejtohej nga shtetasi me iniciale S. B.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr.1303(3278), datë 10.07.2023 ka vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit B. K (G), për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, e parashikuar nga neni 76 dhe 22 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit B. K (G), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit B. K (G), për kryerjen e veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, të parashikuar nga neni 274/1 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
4. Në aplikim të nenit 55 të K. Penal në bashkim të dënimeve, i pandehuri B. K (G), dënohet përfundimisht me një dënim të vetëm prej 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.
5. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit B. K (G) i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vjet burgim.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale B. K, i cili kërkoi:
1.Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër si më poshtë:
-Deklarimin fajtor dhe dënimin e B. K (G) për veprën penale të “Kanosjes” parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me masën minimale.
Deklarimin fajtor dhe dënimin e B. K (G), për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me masën minimale.
-Në bashkim të dënimeve dënimin e tij me dënimin që do të jepet për veprën penale të parashikuar nga neni 278/1 I Kodit Penal
-Pushimin e gjykimit për veprës penale të “Prishjes së qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274/1 i Kodit penal.
-Në alternativë, në rast se Gjykata vlerëson se i mbrojturi prej meje duhet të deklarohet fajtor për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes” e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 e 22 i Kodit penal, në bazë të neneve 22, 23/2, 48/b/ç/dh/e, 49, 56/3 dënimin e tij me një masë dënimi nën minimumin e parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal dhe bashkim të dënimeve dënimin e tij me dënimin që do të japë për veprën penale të parashikuar nga neni 76 e 22 i Kodit Penal.
Në përfundim të gjykimit, më datë 25.04.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Dritan Hasani dhe anëtare znj. Brikena Ukperaj dhe z. Genti Shala, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit Nr.1303 (3278), datë 10.07.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në lidhje me fajësinë për veprën penale të parashikuar nga neni 76 e 22 dhe 278/1 të Kodit Penal dhe masën e dënimit për veprën e fundit.
-Prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes për veprën penale “Prishjen e qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal.
-Dënimin e të pandehurit B. K me 8 (tetë) vjet burgim për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.
-Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin e të pandehurit B. K me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
-Bazuar në nenin 406/1 te K.Pr. Penale, uljen e 1/3 së dënimit dhe dënimin përfundimisht të pandehurit B. K me 8 (tetë) vjet burgim.