Në një protestë të organizuar nga Aleanca për Teatrin dhe opozita para Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi foli për dosjen “5D”. Këlliçi tha se nuk do të tërhiqen nga aksioni i nisur. Ai theksoi nevojën për përgjegjësi nga ata që, sipas tij, “fusin duart në xhepat e qytetarëve të Tiranës”, duke u shprehur se këto veprime duhet të mbartin përgjegjësi, pavarësisht identitetit të atyre që i kryejnë.
Këlliçi gjithashtu vuri në dukje se që nga ardhja e Erion Veliajt në krye të bashkisë, janë menaxhuar rreth 3 miliardë euro. Ai kërkoi një audit të jashtëm dhe të paanshëm ndërkombëtar për të siguruar transparencë rreth përdorimit të këtyre fondeve. “Nuk do të ndalemi në aksionin tonë. Kërkojmë audit ndërkombëtar të paanshëm që qytetarët të kenë të dhëna të qarta për buxhetin e bashkisë së Tiranës,” shtoi ai.