Pas gati 2 muajsh nga rënia e zjarrit në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka nisur puna për riparimit e dëmit, që la pa shërbim urgjencën. Riparimo do i kushtojë rreth 30 milionë lekë të reja buxhetit të shtetit. Po ashtu, riparimi i është besuar të njëjtës kompani që ndërtoi Urgjencën.
Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal në lidhje me zjarrin e rënë në ambientet e Urgjencës së re të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Organi i akuzës ka regjistruar procedimin për veprën penale “Shkatërrimi pronës me zjarr”. Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria bën me dije se nuk ka persona nën hetim në lidhje me ngjarjen. Ndërkohë shton se nga ana e prokurorisë është urdhëruar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit.
Zjarri i rënë ka shkaktuar kaos në Urgjencën e QSUT-së, e cila është ende sot jashtë funskionit. Ndaj edhe pacientët për raste të emergjencës drejtohen drejt spitalit të Traumës ose tek Sanotoriumi. Zjarri në QSUT ka sjellë një përplasje të fortë mes opozitës dhe mazhorancës. Nga zjarri fatmirësisht nuk u regjistruan viktima, ndërsa më herët ka dhënë dorëheqjen drejtoresha e QSUT-së Albana Fico.