Në Komisionin e Shëndetësisë sot, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka raportuar lidhur me incidentin e ndodhur në QSUT, ku reparti i urgjencës prej muajit Shkurt është jashtë funksionit. Mbledhja nisi me debate, për shkak të akuzës së fortë që ngriti deputetja e opozitës Albana Vokshi, pak ditë më parë, e cila tha se 4 persona kishin humbur jetën si pasojë e incidentin në QSUT. Koçiu tha se ka nisur puna për rikthimin në normalitet të urgjencës, të cilat do të përmbyllen brenda muajit Maj.
Pjesë nga debatet në Komisionin e Shëndetësisë:
Zheni Gjergji: Zonja Vokshi nuk ndodhet në mbledhjen e sotme, për shkak të një angazhimi që ka në Kosovë
Florenc Spaho: Ajo që bëtë ju është e paprecedentë. Pohoni se nuk ka pasur asnjë vdekje në QSUT
Albana Koçiu: Përpara se t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja, dua ti përgjigjem të pavërtetave që janë thënë për QSUT. Është shëmbëlltyra më e mirë e transformimit të shëndetesisë, dhe modernizimit të çdo reparti. Incidenti për të cilin ne jemi thirrur, tregoi se të gjitha qendrat e tjera shëndetësore kanë mundur që të përballojnë fluksin. Situata sot nuk është ajo e kolapsit, siç mund të kishte ndodhur disa vite më parë.
Për incidentin me urgjencën, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet dhe dyshohet për një defekt teknik, pa dëmtuar pajisjet biomjekësore. Sot që flasim në QSUT të gjitha shërbimet ofrohen pa problematika të gjitha shërbimet, me përjashtim të urgjencave kardiake dhe atyre të sëmundjeve të brendshme në QSUT. Duhet thënë dhe duhet theksuar se spitali i sëmudjeve të brendshme nuk është prekur, dhe kjo falë protokollit të ndjekur. Ka filluar puna për rikthimin e situatës brenda normalitetit, dhe punimet pritet që të mbyllen në muajin Maj.