“Plazhi i është dhënë bashkëshortit kundrejt tarifës, me qëllimin që të mos vijnë ato nga mali dhe të ngulin çadrën pasi investimi ka qëllimin ekselent të ofrojë turizëm cilësor”, ishte kjo deklarata skandaloze e ish-ministres Olta Xhaçka, e cila nuk e fsheh fare antipatinë e saj ndaj shqiptarëve të thjeshtë dhe të ndershëm dhe tregon babëzinë e llojit të saj për prona e para.
Xhaçka me bashkëshortin e saj Artan Gaçin, investitorin strategjik nën mburojën dhe bekimin e Ramës, duke e konsideruar Shqipërinë ‘pronë të tyre’ grabitën 5512 mijë metër katror pronë në bregdetin e Himarës për të ndërtuar resortin e tyre luksoz. Kështu ata vunë në zbatim planin për të ashtuquajturin ‘turizëm elitar’.
Dosja në fjalë lidhet me dhënien e një prone e cila sipas hetimeve është tjetërsuar dhe më pas i është shitur Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Emrat që dalin në këtë mega aferë, janë kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçi dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli. Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit.
Për këtë çështje kryebashkiaku Goro akuzohet se ka vendosur një parcelë në një hartë që nuk ekzistonte duke shtuar se edhe numri i pasurisë nuk ekzistonte. Kallëzimi penal është depozituar në ambientet e SPAK më datë 21 gusht, ku pretendohet për shfrytëzimin e tokave në mënyrë të paligjshme në Bashkinë Himarë.
Më tej sqarohen edhe falsifikimet e dukshme për këtë pronë. Por pavarësisht kësaj, kryebashkiaku socialist, Jorgo Goro e ka nënshkruar këtë planvendosje. Qëllimi ka qenë që Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi të përfitojnë tokën për të ngritur resortin turistik.
Si iu dha Gaçit statusi i investitorit strategjik dhe dyshimet për konflikt interesi të Xhaçkës
Në një vendim të qeverisë Rama, në muajin Mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Himarë për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare.
Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepej leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë. Në vendimin e qeverisë, ‘AGTTC Hotel Management’ sh.p.k, cilësohej si investitor strategjik. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB, kjo kompani figuron në pronësi të shtetases amerikane, Tawni Lin Grzych-Sutton.
“Bashkia Himarë ka detyrimin që brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik “AGTTC Hotel Management” sh.p.k, me NUIS M11825022K, të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në përputhje me sipërfaqet e destinacionin e kërkuar nga subjekti, të lejuara me vendimin nr.3/5, datë 29.3.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar, dhe të konfirmuara më tej nga Bashkia Himarë,” shkruhej në vendim.
Megjithatë në të dhënat që pasuan rezultoi se kjo kjo kompani ishte themeluar tre muaj pas vendimit për shpalljen e investitorit strategjik, që ndryshe nga sa sugjeron vendimi i Këshillit të Ministrave, është kompania me emër të ngjashëm, AG.TTC Sh.p.k – në pronësi 100% te ish-deputetit socialist dhe bashkëshortit të ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.
“Unë jam investitor strategjik dhe po ndërtoj një hotel, nuk po ndërtoj vila siç bëjnë të tjerët,” ka pranuar asokohe Gaçi, “më takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët”.
Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme asokohe ngriti shqetësim në lidhje me konfliktin e interesit, ndërkohë që vetë Xhaçka kishte bojkotuar mbledhjen e qeverisë në të cilën ishte marrë vendimi.
Sekuestrimi në dy faza
Momentalisht, prona që planifikonte të ndërtonte ish-ministrja është nën sekuestro preventive nga SPAK, duke ndalur një prej shumë skandaleve. Sekuestrimi është bërë në dy faza.
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Posaçme datë 28.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dyfaza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 189, të vitit 2023, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25, të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 176, datë 28.03.2024, ka vendosur:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me nr. 176 regjistri themeltar, datë regjistrimi 19.03.2024, me palët dhe objektin e përcaktuar në pjesën hyrëse të vendimit;
2. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria numër 36/341, sipas AMTP nr. 9715 datë 07.02.1994, aktualisht e identifikuar në vërtetimet hipotekorë me nr. 112, datë 16.04.2020, dhe nr. 1116, datë 24.12.2013, e cila është konturuar nga Bashkia Himarë në zonën me nr. Pasurie 36/35 me sipërfaqe 5080 m2;
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Posaçme datë 28.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në vijimësi edhe të njoftimeve të mëparshme të bëra nga Prokuroria e Posaçme, (sipas linkut: https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-23-03-2024-2/ ) nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren.Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme. E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ndonëse meritonte të hapej hetim ndaj ish-ministres Xhaçka, kryeministri Rama vendosi të shkelë kushtetutën dhe nuk lejoi heqjen e mandatit të saj, që Xhaçka të mund të kalonte lirisht në sitën e SPAK.
Kujtojmë se ideologjia e ‘turizmit elitar’ është një ide e kryeministrit Rama që daton 15 vite më parë, i cili kërkon të zaptojë të gjithë bregdetin me këtë pretekst.
Siç ishte dhe Tirana moderne e kullave, njëjtë është dhe turizmi elitar i bregdetit. Sipas planeve të Ramës, llogaritë dalin që qytetarët e thjeshtë duhet të marrin valixhet e të ikin!
Kjo duhet të jetë një pikë reflektimi për shqiptarët, që s’mund dhe s’duhet të pranojnë të trajtohen si lecka, të fyhen, të vidhen dhe të dëbohen me shkelma nga trojet e tyre.
Pikërisht ky është rezultati i shitjes së votës për thesin e miellit dhe mos ngritjes së zërit ndaj padrejtësive!