Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me operacionin e gjerë kundër trafikut të emigrantëve, ku me urdhër të SPAK, janë lëshuar 26 urdhërarreste, mes tyre edhe policë. Në dosjen e grupit kriminal rezulton të jetë i përfshirë ish-kryetari i komunës Kashar, Alfred Sulaj, i përfshirë me herët në veprimtari të tjera kriminale, madje i arrestuar në vitin 2011 edhe për plagosjen e shokut të tij. Sulaj ndihmonte në ndërhyrjen në gjendjen civile.
Hetuesit kanë zbardhur përgjime të komunikimeve që ka bërë Luan Tafalla, një prej 24 personave të arrestuar, me njerëz të lidhur me ish-kryekomunarin. Luan Tafalla i ka kërkuar ndihmë ish-kryekomunarit Sulaj që për shkak të detyrës që ka mbajtur vite më parë, të ushtrojë ndikim tek gjendja civile për të regjistruar emigrantë, shkruan Shqiptarja.com. Biseda është zhvilluar mes Luan Tafallës dhe vëllait të Alfred Sulajt, mes të cilëve diskutohet për t’i thënë Alfredit për të ndërhyrë në gjendjen civile.
Biseda:
Tafalla: Ku?
Vëllai i Sulajt: Do t’i çojë në gjendjen civile.
Tafalla: Fole me Ogertin ti?
Vëllai i Sulajt: Jo, po flasim me Fredin.
Tafalla: Aha, në rregull.
Vëllai i Sulajt: Kështu që unë i thashë atij që ata janë gati të paguajnë.
Tafalla: Jo mo vëlla duhet të paguaj Fredi atë, pse thua janë gati, kush të tha ty që janë gati?
Vëllai i Sulajt: Po fol me Fredin se Fredi po më pyet mua që duhet të paguaj, i thashë që të mos ashtu.
Tafalla: Ok!
Një operacion mbarëkombëtar është zhvilluar një ditë më parë (12 prill) për evidentimin dhe ndalimin e personave që japin ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, apo për anëtarë të grupeve të strukturuara kriminal. Të përfshirë në grupin kriminal janë 26 persona, katër prej të cilëve efektivë policie, mes tyre dhe shefi i emigracionit të parregullt, Edmond Braja, i cili dyshohet se ka qenë dhe një nga personat kyç, në këtë rrjet të trafikut të qënieve njerëzore. Veç tij në pranga kanë rënë dhe Altin Hasani, Arjel Hoxha dhe Ermal Hoxha, të tre efektivë policie. Personat në fjalë pajiseshin me vizë pune kundrejt shumave nga 500 deri në 1500 euro, dhe më pas e shfrytëzonin Shqipërinë si një pikë kalimi drejt shteteve të BE-së.
Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar 700.000 (shtatëqind mijë) Dollarë Amerikan, 400.000 (katërqind mijë) Euro, 4 000 (katër mijë) Pound, 520.000 Lekë, 13 makina, 3 pistoleta, aparate celularë dhe pajisje kompjuterike, si dhe dokumente të ndryshëm si pasaporta të shtetasve të huaj, bileta udhëtimi, apo dokumente që përmbajnë shënime të grupeve kriminale, si dhe sende të tjera me interes për hetimin. Përkatësisht mbi 1.1 mln euro dhe dollarë. SPAK njofton se deri tani janë ekzekutuar 24 masa të sigurimit personal, për personat nën hetim, ndërkohë që për 2 personat e tjerë nën hetim, po bëhen kërkimet përkatëse.