Autoritetet publike po veprojnë duke dëmtuar interesat e shtetit shqiptarët me aferën e kontraktimit të dy anijeve gjenerator në zonën e Triportit në Vlorë.
Shkelja e parë nis me procedurën e kontraktimit të dy aseteve gjeneruese të cilat u bënë përmes një tenderi emergjent. Aq emergjent sa sot, 2 vjet pas zhvillimit të tij anijet nuk janë vënë asnjë ditë në punë. Pavarësisht se në ligjin për prokurimet publike, përcaktohet se koha për shpalljen e një gare në kushtet e emergjencës duhet të jetë të paktën 10 ditë, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare la vetëm 3 ditë kohë.
Bëri shpalljen më 24 Janar 2022 dhe e mbylli tenderin me 27 Janar të të njëjtit vit. Një fakt ky që çon në dyshime se fituesi ishte i paracaktuar. Interes shprehën dy kompani, por u pranua oferta e firmave Exelerate Energy dhe Renco.
Kontrata mes KESH dhe Excelerate Energy u negociua në mars, për t’u firmosur më datën 4 prill 2022. Kontrata me dy kompanitë ne fjalë, është pa afat dorëzimi duke shtuar dyshimet për emergjencën e tenderit. Si mund të zhvillosh një tender emergjent kur nuk e detyron palën kontraktore për afatin e dorëzimit?
Gjithashtu, menjëherë pas firmosjes së kontratës kompania Excelerate Energy shkon për të marrë kredi dhe duke e lënë si garanci dhe merr paratë për të blerë anijet, te cilat 15 milion dollarë, pra tre herë me lirë se shifra që do të paguajë KESH për qiranë. Plot 46 milion dollarë, që do të jepen pas 24 muajve, ndërsa për operimin e tyre do të paguhen 22.5 milion dollarë.
Por këto nuk janë shkeljet e vetme. Edhe pse u shit publikisht se anijet që do të prodhojnë energji janë sjellë nga kompania e madhe Excelerate Energy, na rezulton se firma që është marrë me këtë ka vetëm emrin e ngjashëm, pasi bazën e ka në shtetin offshore Delaëare, vend që ruan anonimatin e pronarëve.
Bëhet fjalë për disa kompani që kanë operuar si guaskë. Në ofertën që i është dorëzuar KESH-it rezulton se aplikimi është bërë nga firma prestigjoze Excelerate Energy, oferta shoqërohet dhe me logon e saj, por brenda dokumenteve rezulton se është dorëzuar certefikata e regjistrimit të një tjetër firme : Excelerate Global Operations LLC, ndërsa personi që ka firmosur ofertën është Daniel Bustos shefi i njësisë tregtare i një tjetër Excelerate, asaj Limited Partnership. Të dyja kompanitë, si Excelerate Global Operations ashtu edhe Excelerate Energy Limited Partnership rezultojnë me seli në Delaëare, shtet ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes, e njohur si parajsë fiskale.
Në kohën që ambientalistët ishin shqetësuar për mbërritjen e dy Teceve që do të punojnë me lëndë djegëse HFO, siç njihet teknikisht mazuti dhe që mendohet të prodhojnë 114 megavat energji elektrike në orë, të cilat do të konsumojnë 500 ton lëndë djegëse në ditë, anijet nuk kishin mbërritur. Por askush nuk u mendua dy herë.
Nëse anijet do të punojnë me kapacitet të plotë gjatë gjithë vitit, do të prodhojnë 876 mijë megavat orë energji dhe me çmimin e sotëm në bursë të lëndës që kërkohet për prodhimin e saj, do të duheshin 105 milion euro, pa llogaritur shpenzimet e tjera të qirasë, mirëmbajtjes, sigurimit apo depozitimit të mazutit. Nëse sot kjo sasi kontraktohet në bursë përmes një kontrate afatgjatë energjie, do të kushtonte 70 milion euro. Pra, do të kemi një humbje prej 35 milion euro në vit, pa përfshirë milionat që jemi angazhuar të japim në kontratë.
Sot çmimet e energjisë në bursa janë normalizuar dhe vlera mesatare për 1 megavat orë energji elektrike ka kushtuar këtë javë 70 euro për megavat orë. Edhe afati i emergjencës në energji që shpalli qeveria ka përfunduar më dhjetor të vitit 2023, ndaj KESH ka të gjithë të drejtën ligjore të mos i pranojë këto asete që i duhen askujt dhe që ka pritur për muaj të vihen ë punë. Por me sa duket Korporata është vendosur për t’i marrë, madje dhe në shkelje të ligjit.
Gazetarët e Piranjave ju drejtuan përsëri zyrave të KESH, për të takuar dhe administratorin e ri zotin Erlind Sulo.
Duke qenë se nuk u mor asnjë përgjigje, gazetarët i lanë disa fletë të printuara në mënyrë për ti lexuar më mirë.
EMISIONI I PLOTË: