Për herë të tretë, deputetët e mazhorancës kanë bojkotuar mbledhjen e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë.
Deputetët socialistë nuk janë paraqitur në mbledhjen e thirrur nga kryetarja Albana Vokshi. Kjo është hera e tretë që deputetet e mazhorancës në këtë komision zgjedhin të mos jenë pjesë e takimeve, duke sjellë dështimin e tyre.
Vokshi e ka cilësuar ‘shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit’ bojkotin e socialistëve. Deputetja demokrate hodhi akuza në një deklaratë për mediat se bojkoti po bëhet me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“E kam thirrur mbledhjen bazuar në ligj dhe për herë të tretë e kanë dështuar. Me urdhër të Ramës ata po bojkotojnë punimet dhe hetimet parlamentare. Kanë shkelur rregulloren, Kushtetutën. U bëj thirrje që të mos ndjekin porosinë e Ramës që nuk do hetim parlamentar”, tha Vokshi.
Nga ana tjetër, mungesën e socialistëve, deputetja demokrate Ina Zhupa e sheh si një demaskim të interesit të tyre për të bllokuar punën e komisionit.
“Nuk ka as lajm as surprizë. Kjo nuk është një pamje normale ku mazhoranca të bojkotojë një vendim që e ka marrë edhe vetë. Kanë harruar që e vërteta vonon, por nuk harron. Drejtësia do vihet, ne do arrijmë t’i marrim ato informacione, do bëjmë publike çdo gjë siç e kemi bërë edhe para. Kështu po demaskojnë veten e tyre, interesin për të bllokuar këtë komision”, tha Zhupa.
Në mbledhjen e sotme, pritej që të miratohej plani i hetimit 3 javor si edhe kërkesat për informacion. Në mbledhjen e pak ditëve më parë, përmes një shkrese zyrtare, Partia Socialiste i është përgjigjur opozitës pas bojkotit, duke deklaruar se Komisioni Hetimor për Check-up nuk ka arsye të mblidhet deri në hartimin e këtij plani hetimor.