Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ka folur në Kuvend për dosjen ‘Xibraka’. Ai i bëri thirrje drejtuesit të prokurorisë së posaçme Altin Dumani, që të rihapë këtë dosje, dhe të vihen para drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në laboratorin e kokainës në Xibrakë.
“Do të doja shumë që siç Kushtetuta e detyron, kryeministri Edi Rama të ishte në seancë, por dëshira pëe tiu fshehur të vërtetës, e bën gjithmonë të ikë dhe të mos japë llogari. Zoti Altin Dumani, gjatë raportimit në KLP ka thënë se e ka të pamundur që të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit, për shkak se drejtuesit e policisë janë anëtarë të bandave kriminale. Unë kam nxjerrë nga arkivat e prokurorisë një dosje, për një person të paidentifikuar.
Edi Rama e quajti këtë një trillim, do të ishte e ndershme që të vinte dhe të thoshte këtu atë që ka thënë vëllai i tij, që kjo dosje është mbyllur në mënyrë përfundimtare. Kjo nuk është një çështje e hetuar dhe gjykuar në mënyrë përfundimtare, ajo dosje prej disa vitesh flinte e qetë në arkivat e Prokurorisë së Posaçme, duke lënë pa zbuluar një pjesë të organizatës kriminale, në laboratorin e parë të kokainës në Shqipëri, atë të Xibrakës.
Do të doja shumë që të vinte dhe të thoshte këtu se personi 45 vjeç, nuk ka qenë përdorues i makinës me targa AA 653 DM, por nuk vjen dot, këtë nuk e kam thënë unë, e ka thënë dosja. E thotë dosja dhe nuk e them unë, që personi i paidentifikuar me mjetin me targa AA 653, ka hyrë në apartamentin e personave të dënuar për laboratorin e drogës në Xibrakë. Do të doja shumë që të vinte dhe të thoshte që këtë automjet, nuk e kanë përdorur anëtarët e tjerë të organizatës kriminale. Janë të dhënat e sistemit TIMS, nuk e thotë Gazment Bardhi. Do të doja që të vinte këtu dhe të thoshte është e vërtetë, që Olsi Rama, njësoj si Gentian Xhixha, ka pasur hyrje dalje të shpeshta, gjatë kohës që po ngrihej laboratori i kokainës në Xibrakë.
Do të doja që të vinte këtu dhe të thoshte që dy prokurorët që kanë pasur në dorë këtë dosje, nuk janë promovuar nga Edi Rama. Pse nuk është publikuar fotoja e personit, që hodhën fall dhe i gjetën vetëm moshën? Kush ishte ky person, nuk ka raport të Forcave Operacionale, pa prova me foto dhe me video. Pse nuk u shfaqën këto pamje, dhe më pas të ndihmonin qytetarët në identifikimin e këtij personi. Dokumentet tregojnë të kundërtën, i bëj thirrje zotit Dumani, që të hetojë deri në fund këtë çështje, të vlerësojë rolin e punonjësve të policisë që kanë prishur provat, dhe të hetojë rolin që kanë pasur këtë dosje, dhe më pas e varrosën”, u shpreh Bardhi.