Në rendin e ditës së sotme në Kuvend është futur amnistia penale, pas një marrëveshje të arritur mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit. Kjo marrëveshje është sulmuar nga Lulzim Basha, i cili e cilësoi si pazarin e radhës mes socialistëve dhe Rithemelimit, që do të përdoret si një komerdare shpëtimi nga ana e kryeministrit Edi Rama.
Basha tha se nga amnistia penale do të përfitojnë zyrtarët e korruptuar, ndërsa një fakt i tillë u mohua nga Gazment Bardhit. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së nga amnistia nuk do të përfitojë asnjë i dënuar që është subjekt i deklarimit të pasurisë, dhe i dënuar për korrupsion.
Deklarata e Bashas:
‘Për një kohë të gjatë kjo aministi u mbajt për të dënuarit ordinerë, në mënyrë që të përfitonin zyrtarët e korruptuar. Është një aleanca antispak, sepse sinjali është që ju i dënoni dhe ne i lirojmë me amnisti. Duke amnistuar drejtorët dhe zyrtarët, dalin hapur petët e lakrorit, shqetësimi i vetëm janë të dënuarit për korrupsion. Kjo është një komerdare shpëtimi për Edi Ramën, Partia Demokratike e refuzon këtë pazar’.
Ku i mbështesni këto akuza?
Pothuajse asnjë përfitues nuk përfiton, për këtë mjafton që të shihni analizën që ka bërë PD, shumica dërrmuese e përfituesve nuk përfiton. Ndërsa që përfitojnë me këtë propozim drejtorë dhe zyrtarë të dënuar, shihni shënimin tim, se buron nga analiza e grupit tonë juridik. Ja ku u katandis revolucioni.
Ku ndryshon analiza e sotme nga ajo e 2014
Lëreni mor atë… Do kemi mundësinë pas seancës të ulemi përsëri.
Deklarata e Bardhit:
“Sot është një ditë e rëndësishme për Kuvendin, kryeministri duhet të ishte në Kuvend, dhe të jepte llogari për dosjen Xibraka. Ju jeni dëshmitarë, që për amnistitë ka pasur gjithnjë një dakordësi me bazë të gjerë, ne jemi kujdesur që ky draft të jetë i njëjtë, me atë që ka votuar edhe opozita kur drejtohej nga zoti Basha. Me ndryshimin që asnjë zyrtar dhe asnjë anëtar i krimit të organizuar nuk do të përfitojë asnjëlloj aministie. Janë përfshirë të gjitha rastet e protestuesve të opozitës, nuk ka asnjë zyrtar të arrestuar që do të përfitojë nga kjo amnisti. Mazhoranca u tërhoq nga variant që u miratua në Komisionin e Ligjeve, dhe pranoi amandamentet tona”, u shpreh Bardhi.