Skema korruptive me “bazë” në Bashkinë e Tiranës, “5D Construction”, ka nxjerrë sërish zbuluar Lali Erin, i cili rezulton aksioner në disa biznese bashkë me vartësit e tij.
Në kompaninë e Redi Mollës, Taulant Tushës dhe Mariglen Qatos, tashmë të njohur për vjeljen e parave nga xhepi i nevojtarëve, janë kryer transaksione që mbajnë shifra të ndryshme.
Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Reforma nënvizohet se vetëm përmes një transaksioni financiar “Hotel La Brisa”, ish-drejtori i Erjon Veliajt, Elvin Tivari dhe Fatos Malaj, vëllai i kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj, kanë fituar në fillim të vitit 83 milion e 900 mijë lekë të vjetra.
Ky biznes është i ndarë mes dy aksionerëve dhe Tivari gëzon 40 për qind të aksioneve. Por, ndaj pronarit të vërtetë të këtij hoteli ka nisur një hetim nga SPAK, për trafiqet e drogës e pastrimin e parave ku dhe anëtarë të tjerë që janë pronarë kanë “tentakula”, vjedhjen e fondeve, shpërdorimin e veprimtari të tjera korruptive të Bashkisë Tiranë.
Tivari nga ish-drejtor i shitjeve në Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë është kthyer në sipërmarrës që menaxhon investime në miliona euro. Në total në emër të tij, janë regjistruar në QKB 8 subjekte private të cilat pritet të verifikohen nga SPAK.
Fatura është prerë nga subjekti “La Brisa” në 25 shtator 2023, ndërsa është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në 9 janar 2024. I vetmi biznes që tatimet i japin lekë dhe nuk i vendosin gjobë.
Ambientet e hotelit janë shfrytëzuar nga administrata e Tatimeve për trajnime, seminare dhe pushime gjatë sezonit të verës së vitit 2023. Dhe shuma prej 83 milionë e 900 mijë lekë të vjetra është arkëtuar në llogaritë e subjektit “La Brisa”.
“Zinxhiri” i abuzimit vazhdon me tenderë publikë. Pasi u përdorën si nënkontraktorë për të fshehur paratë e korrupsionit në hotelin famshëm, drejtorët e Veliajt nuk mund të mjaftoheshin me kaq, pasi në gusht të vitit 2023, pas vjedhjes së zgjedhjeve lokale të 14 majit, subjekti “ABG Ndërtim” me pronar vartësin e Redi Mollës, fiton një tender në vlerë 3.1 milionë euro, për të ndërtuar dhe riparuar ujësjellësit në disa fshatra të zonës së Burrelit.
Sigurisht ky nuk ishte një tender rastësor, pasi vendimmarrjen direkte në këtë procedurë e ka vetë kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, vëllai i ortakut të Redi Mollës dhe ElvinTivarit.
Çfarë është “5D Konstruksion”?
Aksioni më i fundit i Struktrës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mban emrin “5D Konstruksion”. Organi i Posaçëm i akuzës ka prerë 9 masa sigurie, 3 prej tyre janë arrest në burg, ndërsa 6 të tjerat janë detyrim paraqitje. Por çfarë janë 5D, dhe kush i denoncoi publikisht?
Ashtu siç edhe bëhet me dije në njoftimin zyrtar të SPAK, hetimet kanë nisur pasi Belind Këlliçi depozitoi procedimin penal më 23 maj të vitit që lamë pas. Kështu Prokuroria e Posaçme nisi hetimet duke dalë në përfundimin se Redian Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion”.
Por për të mos dalë vetë në skenë, sipas SPAK, kompaninë e kishin lënë në emër të Eduard Metës, Muhamet Petritit dhe Nestor Muhametllarit. Po sipas SPAK, të tre kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje si me Qaton ashtu edhe me Mollën.