Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti i Kosovës ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Mirëpo gjatë votimit ka pasur dy vota kundër, nga deputetët e Serbisë, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi, ndërsa deputeti i Greqisë ka abstenuar.
Lidhur me këtë votim ka folur ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili është shprehur se nëse ai do ishte sërish në krye të shtetit nuk do votonte kundër Kosovës për anëtarësimin në KiE.
“Gjatë mandatit tim, ne e mbështetëm tërësisht Kosovën. Por ky është realiteti i ri. Kjo ndodh sepse mazhoranca është krijuar me parti që nuk ndajnë të njëjtin vizion, programe dhe vlera. Ata mendojnë se kjo mund të funksionojë, unë them të kundërtën.”
Sa i takon procesit të rëndësishëm zgjedhor në të cilin do të përfshihet Bashkimi Evropian, Abazoviç u shpreh se një triumf i ekstremit të djathtë nuk do të ndihmonte zgjerimin e bllokut evropian.
Përtej bashkëpunimit të mirë me presidenten aktuale të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Abazoviç sheh nevojën për një frymë të re.
“Të jem i sinqertë, mendoj se do të jetë mirë për Komisionin Evropian që të rifreskohet. Mendoj se në disa aspekte mund të jetë më konkret, të prodhojë më shumë rezultate. Mendoj se Evropa mund të jetë më produktive se tani”, u shpreh Abazoviç.