Në një zhvillim të ri në vijim të hetimeve pas arrestimit të një efektivi policie dhe tre personave të tjerë nën akuzën e transportimit të kokainës, policia ka zbuluar një Call Center të paligjshëm, e cila rezultonte në pronësi të shtetasit Shkëlqim Osteni dhe një personi të shpallur në kërkim me inicialet M.H. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bëri të ditur se ky call center kishte për qëllim mashtrimin e qytetarëve italianë për investime në bursë, duke përfituar nga 500 deri në 30.000 euro.
Operacioni i policisë u përhap më tej pas operacionit antidrogë ku u sekuestrua 1 kg kokainë dhe u arrestuan dy persona shtesë. Gjatë hetimit, u zbulua se këta persona kishin lidhje me një call center të organizuar në rrugën “Idriz Guri” në Tiranë, ku bëheshin thirrje të rreme për të mashtruar qytetarët italianë për investime në bursë. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet ilegal dhe dokumentimin e tyre për veprat penale të dyshuara.
Njoftimi:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka vijuar hetimet e thelluara mbi personat e përfshirë në ngjarjen e datës 21.03.2024, ku u ndalua një punonjës policie dhe u arrestuan në flagrancë 3 shtetas të tjerë dhe pas këqyrjes së detajuar të komunikimeve telefonike mes tyre dhe personave të tjerë, deklarimeve të disa personave që tregojnë rrethana të hetimit, si dhe këqyrjes së pamjeve filmike të administruara, është bërë e mundur gjetja dhe kontrolli i një ambienti të përshtatur si Call Center, në pronësi të shtetasve M.H. (i shpallur në kërkim) dhe SH. O., i ndodhur në rrugën “Idriz Guri” Tiranë, në të cilin ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i mashtrimit me bursën FOREX.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumente, pajisje të ndryshme dhe disa njësi kompjuterike, në të cilat ishin të instaluara programe/aplikacione dhe lista emrash me numra italianë, të cilët kontaktoheshin nga disa operatorë, duke i mashtruar për investime në bursë, nëpërmjet të cilave arrinin të përfitonin vlera monetare të konsiderueshme, që variojnë nga 500 deri në 30.000 euro.
Mbi bazën e materialeve hetimore të administruara deri në këtë fazë i është relatuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, caktimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, në mungesë, për shtetasit M. H., 33 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” i kryer në bashkëpunim, si dhe regjistrimin e të njëjtës vepër për personin nën hetim SH. O., i arrestuar më parë si i dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.
Hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të të gjithë personave të perfshirë në këtë veprimtari dhe dokumentimin me prova ligjore të veprave penale, ku dyshohet se ata janë të përfshirë.