Një oficer ushtarak gjerman është akuzuar për veprime spiunazhi në favor të Rusisë. Zyra e Prokurorit Federal në një deklaratë konfirmoi se i akuzuari, i cili ishte i stacionuar në një bazë ushtarake në qytetin jugperëndimor të Gjermanisë, Koblenz, dyshohet se ka furnizuar me informacione një shërbim sekret rus.
Zyra tha se në një rast, ai transmetoi informacionin që kishte marrë nëpërmjet aktiviteteve të tij profesionale me qëllim që ta dërgonte një shërbimi të inteligjencës rus.
I akuzuari ka qenë përgjegjës për furnizimin e ushtrisë gjermane me materiale dhe armë, si dhe për zhvillimin, testimin dhe prokurimin e teknologjisë ushtarake.
Ky nuk është rasti i parë i dyshuar për veprime spiunazhi në favor të Rusisë që nga fillimi i konfliktit të saj me Ukrainën më 24 shkurt 2022. Në një rast tjetër, një ish-punonjës i agjencisë së inteligjencës së jashtme të Gjermanisë po gjykohet për akuzat e kalimit të informacioneve sekrete një shërbimi inteligjent rus.