Zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut do të mbahen më 8 maj 2024, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit e vendit do të zhvillohet më 24 prill.
Në këto zgjedhje do të kenë mundësinë që të votojnë dhe shtetasit maqedonas që jetojnë në vendet e tjera të botës.
Maqedonia e Veriut ka një model që cilësohet i mirë për votuesit nga diaspora. Të gjithë votuesit jashtë këtij shteti zakonisht kanë votuar një ditë para zgjedhjeve në konsullatat më të afërta në shtetin ku jetonin mërgimtarët.
Mirëpo në Shqipëri nuk është marrë asnjë masë që emigrantët tanë të kenë të drejtë të votojnë në vendet ku jetojnë.
“E drejta e votës së lirë, e fshehtë dhe e barabartë, është një nga të drejtat themelore dhe të patjetërsueshme të njeriut”, citohet nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.
Pavarësisht kësaj deklarate shumë të rëndësishme, në Shqipëri ende ska një ligj për votën e Diasporës dhe po punohet në çfarëdo lloj mënyre që të pengohet edhe si propozim.
Por nga ana tjetër nuk kemi asnjë argument llogjik nga qeveria lidhur me kufizimin e kësaj të drejte.
Në kohën e fundit ka pasur reagime të shumta nga diaspora shqiptare ndaj mënyrës së votimit për gjetjen e një forme më të përshtatshme dhe të drejtë për të votuar dhe ushtruar të drejtën e tyre për vendlindje.
Së fundmi, Lëvizja “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ka ngritur çështjen për votimin e diasporës dhe lehtësimin e saj, duke u futur në KQZ si grup pune.
Kjo lëvizje ka përgatitur një dokument 36 faqesh, ku në mënyrë të detajuar shpjegohet si duhet ndjekur modelin e saj për votimin nga shtetasit shqiptarë jashtë kufijve, që në fakt është Akti Normativ për të drejtë vote.
Ndërsa në një sondazh të bërë pak ditë më parë nga Euroneës, shqiptarët shpreheshin pro votës së Diasporës, rreth 79% të të anketuarve.
Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezulton 2.761.785 banorë, duke pësuar rënie me 1,1%, krahasuar me 1 janar 2022.
Rënia ka ardhur si rrjedhojë e ikjes së një pjese të popullsisë në emigracion, ndërsa u kthyen më pak persona. Numri i emigrantëve ishte 46.460 persona: 10,5% më shumë, krahasuar me vitin 2021.
Sa i përket remitancave sipas një artikulli nga Monitor thuhet se në vitin e kaluar vlera e remitancave arriti nivelin më të lartë të dekadës së fundit.
Sipas Eurostat, remitancat arritën vlerën e më shumë se 1.2 miliardë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Vlera e raportuar nga Eurostat u referohet remitancave të matura si dërgesa apo transferta personale dhe të ardhurave të punonjësve nga puna jashtë vendit.
Ndërsa shteti pavarësisht këtyre fakteve, pengon me dashje votimin e Diasporës, sepse nëse iu ofrohet kjo mundësi emigrantëve, panorama politike nga pikëpamja e votës do të jetë e paqartë dhe frika se këta shtetas shqiptarë mund t’iu japin prioritet partive të reja.