Pasi socialistët në parlament zhbënë ligjin për Zonat e Mbrojtura, biznesmeni Jared Kushner shpalli plane për resorte në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, të dyja parqe kombëtare në Shqipëri, bën të ditur “Bloomberg”. Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, shpalli të premten në një intervistë për “Bloomberg” se ka në plan të zhvillojë për resorte turistike ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit në Shqipëri, investime që duket se lidhen me vendimin kontrovers të socialistëve shqiptarë në pushtet për të zhbërë ligjin për Zonat e Mbrojtura, në kundërshti me rekomandimet e Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për median amerikane “Bloomberg”, Kushner deklaroi se në zonën e Zvërnecit synon të ndërtojë dhjetëmijë njësi akomodimi turistike ndërsa në Sazan imazhet janë gati për vila dhe hotele. Kushner nuk bëri të ditur se mbi çfarë marrëveshjeje, procedure prokurimi apo kontrate do të zhvillohen këto projekte, të cilat janë në pronë publike në Shqipëri dhe nominalisht të mbrojtura nga legjislacioni mjedisor. Ajo që bëhet e ditur është që kompania e tij e investimeve mbështetet nga fonde nga vendet arabe.
Vetëm pak ditë më parë, socialistët me “opinionin” e qeverisë miratuan, pavarësisht kundërshtimeve nga Brukseli, ndryshime në ligjin ‘Për Zonat e Mbrojtura’, ndryshime të cilat efektivisht i bëjnë këto zona “të pambrojtura”. Sipas ligjit të propozuar, qeveria ka të drejtë të miratojë investime në këto zona, të cilat shtrihen përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe kanë rëndësi të madhe për biodiversitetin.
Ishulli i Sazanit është pjesë e Parkut Kombëtar Sazan Karaburun, i vetmi park tokësor dhe detar në Shqipëri. “I vetmi Parku Kombëtar Detar, ai i Karaburun-Sazan është një mrekulli e gjallë e natyrës Shqiptare. Ky park konsiderohet si shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare mes tyre kemi dhe specie të cilat i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Ekosistemi ujor/detar “Karaburun – Sazan”, i shpallur “park kombëtar detar” (kategoria II),” shkruhet në Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Kjo duket se nuk e ka penguar Kushnerin të bëjë gati planet për ndërtime, gjë që duket se kanë nisur që para se ligji shqiptar, i cili teorikisht ishte një propozim i disa kryebashkiakëve socialistë përmes disa deputetëve që zakonisht nuk njihen për propozime, të bëhej publik në Tiranë.
Shqipëria është një vend i prekur nga fenomeni i kapjes së shtetit, në të cilin, ligjet nuk qeverisin një gjendje, por miratohen sipas kërkesës së një pale specifike. Ligjet me porosi konsiderohen si e kundërta e shtetit të së drejtës apo shtetit të sundimit të ligjit pasi siç vërehet edhe në këtë rast, ligjet nuk janë të barazvlefshme për të gjithë, por mund të ndryshohen sipas kërkesave specifike të një njeriu apo një grupimi të caktuar.
Pyetur nga BIRN, qeveria nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi./ Reporter.al