Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që të rishikojë një vendim shkarkimi nga vetingu me formë të prerë, kjo është hera e parë që KPA merr një vendim të tillë.
Bëhet fjalë për rastin e ish-prokurores Antoneta Sevdari, ish-anëtare e KLP, e cila u shkarkua nga detyra me 28 shkurt të vitit 2019, pasi KLP tha se ajo nuk ka bërë deklarim të plotë të pasurisë dhe cënim të bësimit të publikut te drejtësia.
Rishikimi i vendimit të shkarkimit nga KPA vjen pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut,e cila i dha të drejtë ish-prokurores.
Strasburgu dënoi Shqipërinë me dëmshpërblimin e ish-prokurores me disa paga dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit të saj pasi i janë shkelur disa të drejta gjatë rivlerësimit kalimtar.
Gjykata theksoi në vendimin e Sevdarit se ky gjykim nuk vlen për të rrëzuar në tërësi procesin e vetingut dhe as për t’i dhënë të drejtë gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të shkarkuar.
“Gjykata vëren se ka gjetur shkelje të të drejtës së aplikantes për respektim të jetës së saj private nën nenin 8 të Konventës për shkak se shkarkimi i saj, në rrethanat specifike të rastit, nuk ishte proporcional me synimin e ligjshëm të ndjekur,” shkroi gjykata në vendim.
“Gjithsesi, gjykata nuk vlerëson se funksionimi i procesit aktual të vetingut në Shqipëri në përgjithësi, bazuar në Kushtetutën dhe në Ligjin e Vetingut, shfaq ndonjë problem të tillë sistemik pajtueshmërie me kërkesat e konventës,” shkruhej më tej në vendim.
Po si e ka nisur karrierën në sistemin e Drejtësisë Antoneta Sevdari?
Antoneta Sevdari e ka filluar karrierën si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës në vitin 2002 dhe në vitin 2013 ajo është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka qenë pjesë e task-forcës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.
Ajo u konfirmua në detyrë nga KPK me 18 korrik, por vendimi u apelua në gusht 2018 nga Komisioneri Publik.
Antoneta njihet për punën e saj në prokurorinë e Tiranës për procedimin e çështjes CEZ-DIA kundër biznesmenit, Kastriot Ismailaj – i dënuar me 11 vjet burg për një nga rastet më të rënda të mashtrimit dhe korrupsionit në Shqipërinë e tranzicionit.
Para se KPA të fillonte shqyrtimin e çështjes Sevdari u zgjodh si anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Nga anëtarët prokurorë të KLP-së veç Sevdarit presin vendimmarrjen e Kolegjit edhe Gentian Osmani, Besnik Cani dhe Arben Dollapaj.