Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shprehur në një prononcim për mediat se sot ka dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës.
Ai ka treguar se Prokuroria nuk ka asnjë provë dhe se e gjitha kjo bëhet që të shpërqëndrojnë qytetarët nga përgjimet e “Bild”. Akuzat që janë ngritur në Prokurori, janë montuar në zyrën e Ramës, ka thënë ndër të tjera kreu demokrat.
“Arsyeja e vetme pse jam sot para jush është për qëllim shpërqendrimi për qytetarët dhe për ju nga përgjimet e Bild. Prokuroria nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë shtesë që nga 25 maji kur unë isha këtu për herë të fundit. Kjo akuzë është montuar në zyrën e Ramës për llogari të tij.
Skandalet që do të dalin nesër nga Bild. Thanë që do e kenë dosjen sot gati, por nuk e kishin gati sepse nuk kanë dosje.
Herën e parë më thirrën kur plasi skandali i Saimir Tahirit, të dytën kur plasi skandali i Agron Xhafajt, pastaj kur plasi skandali i Rrahman Rrahjës dhe kur plasi skandali i Bild-it”, – tha Basha.
Më parë, Basha kishte refuzuar të paraqitej, duke thënë se nuk ishte zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve qe kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.