Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Krastë të Martaneshit ku një fëmijë 6-vjeçar ka mbetur i plagosur. Tre plumba e kanë prekur fëmijën në pjesën e fytyrës.
Autori i kësaj ngjarjeje të ndodhur në Krastë të Martaneshit është 27-vjeçari Jetmir Koxheri. Ky i fundit ka qëlluar me armë në drejtim të shtëpisë së 6-vjeçarit pas një konflikti që kishte pasur me babain e tij.
Gjithçka ka nisur në një lokal në Martanesh, ku Jetmir Koxherri, dhe H. Rr., janë konfliktuar mes tyre.
Jetmiri është larguar nga lokali dhe dyshohet se ka marrë një armë zjarri dhe ka qëlluar në drejtim të banesës të shtetasit H. Rr.
Si pasojë ka mbetur i plagosur fëmija 6 vjeçar, i cili po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë.
Në orët e mëngjesit, është bërë kapja e autorit të ngjarjes, Jetmir Koxherri, 27 vjeç, banues në Krastë, si dhe sekuestrimi i armës së krimit. Grupi hetimor vijon hetimet në vendngjarje.