Prokuroria e Posaçme në vendin tonë në koordinim me Prokurorin Publik Europian ka bashkëpunuar për operacion e koduar “Cluster Midas”. Mësohet se ky operacion ndërkombëtar u krye kundër evazionit fiskal, për të goditr grupet e strukturuara kriminale.
Lidhur me këtë operacion, SPAK ka bërë një njoftim publik ku tregon se këto aktivitete janë kryer duke krijuar fatura fiktive me qëllimin e rimbursimit të TVSH-së, si dhe shmangien e detyrimeve fiskale.
Sipas kësaj strukture të lartë të Drejtësisë dëmi përllogaritet të jetë 195 milion euro dhe ky aktivitet i evazionit fiskal ishte i shpërndarë në 17 shtete, kryesisht evropiane.
Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar, u vunë në pranga 14 shtetas, si edhe janë kryer 5 kontrolle ambientesh, nga të cilat janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike. Gjithashtu janë marrë në pyetje shtetas të ndryshëm, si dhe janë siguruar të gjitha provat materiale që subjektet në hetim kanë kryer në Shqipëri.
NJOFTIMI:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik Europian (EPPO), ka ndjekur hetimet për Operacionin e koduar “Cluster Midas”, për veprën penale “Evazioni Fiskal”, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Këto aktivitete janë kryer duke krijuar fatura fiktive me qëllimin e rimbursimit të TVSH-së, si dhe shmangien e detyrimeve fiskale.
Dëmi i kryer nga këto aktivitete llogaritet të jetë 195 milion Euro, i cili është i shpërndarë në 17 shtete kryesisht Evropiane.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka kryer 5 kontrolle ambientesh, nga të cilat janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike (aparate telefonike, laptop, si dhe USB/HDD), janë marrë në pyetje shtetas të ndryshëm, si dhe janë siguruar të gjitha provat materiale që subjektet në hetim kanë kryer në Shqipëri.
Ky hetim është shtrirë në 17 shtete (Shqipëri, Austri, Kroaci, Qipro, Çeki, Estoni, Gjermani, Hungari, Itali, Maltë, Hollandë, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni, Suedi dhe në Mbretërinë e Bashkuar), duke kryer më shumë se 180 kontrolle, si dhe janë arrestuar 14 shtetas. Më shumë se 680 hetues të ndryshëm janë angazhuar për të realizuar këto veprime hetimore.