Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të bëjë një vizitë zyrtare në Shqipëri për herë të parë në datat 28-29 shkurt gjatë Samitit të Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor. Pritet që Zelensky të mbërrijë në Tiranë mbrëmjen e 27 shkurtit dhe të marrë pjesë në samitin e 28 shkurtit, ku do të jenë të pranishëm zyrtarë të lartë nga Brukseli, liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Europës Juglindore.
Për të siguruar këtë vizitë nën masa të larta të sigurisë, mbi 1500 forca policie, përfshirë njësitë e antiterrorizmit, Gardën, Shërbimin Informativ Kombëtar, RENEA, njësitë e krimit dhe rendit dhe policinë rrugore do të jenë të dislokuara për të garantuar rendin dhe sigurinë. Zbatimi i planit të masave për rendin dhe sigurinë do të nisë më 27 shkurt, me mbërritjen e Zelensky në Aeroportin e Rinasit.
Masat e sigurisë përfshijnë dislokimin e forcash dhe agjentëve nga Garda dhe SHISH për të monitoruar si terrenin fizik, ashtu edhe rrjetet sociale për të identifikuar çdo thirrje të mundshme për destabilizim. Për të parandaluar hyrjen e individëve të dyshuar për tendenca ekstremiste, të gjitha pikat kufitare janë informuar me fotografi të tyre.
Policia e Shtetit ka përgatitur masa të detajuara sigurie për udhëtimin e Zelensky nga Aeroporti i Rinasit në Tiranë, vendet e takimeve, akomodimin dhe kthimin në Rinas në përfundim të vizitës. Në varësi të aktiviteteve të planifikuara në Tiranë gjatë këtyre dy ditëve, do të ketë mbyllje të rrugëve dhe bllokada të pjesshme.
Bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit, synon të sigurojë rendin publik, sigurinë dhe suksesin e Samitit. Për arsye të sigurisë dhe për lehtësimin e mbarëvajtjes së samitit, do të ketë mbyllje dhe devijime të rrugëve në zona të caktuara interurbane dhe urbane të kryeqytetit.
- Do të bllokohen këto akse:
– Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas;
– Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;
– Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;
– Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.
-Gjithashtu, të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.
Në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe për këtë arsye do të njoftohen të gjithë banorët e zonës, për mosparkim të mjeteve në këto segmente.
Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Fushë Prezë – Rinas”;
-Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Vorë- rruga e vjetër e Fushë Krujës”;
– Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga juglindja, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Elbasan – rrethrrotullimi TEG-ut- unaza lindore- Paskuqan -Kamëz- kryqëzimi i Valiasit- Rinas”.
Shërbimet e Policisë do të jenë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative.