Berisha paralajmëron kryeministrin Rama: Koha jote dhe e aferave të tua ka mbaruar

Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin poshtë shtëpisë së tij njoftoi kryeministrin Rama se koha për gjykim ka arritur. Berisha theksoi se gjykimin nuk do ta kryejnë mercenarët e Ramës, por shqiptarët revoltuar në protestën e 20 shkurtit. Berisha përgëzoi këtë datë si kohë për demokraci, pluralizëm, liri, fitore, dhe shpëtim të Shqipërisë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mbaroi koha e inceneratorëve, në flakët e tyre do përfundosh bashkë me Erion Veliajn dhe hajnat e tjerë.
Edi Rama, mbaroi koha e vjedhjeve të tua të shekullit, erdhi koha e gjykimit, por jo nga mercenarët e tua, Dumanë, Kraja e kompani, por me 20 shkurt nga qindra-mijëra qytetarë të revoltuar.
Mbaroi koha e bandës dhe e drogës, erdhi koha e ligjit dhe e drejtësisë të qytetarëve të revoltuar.
Edi Rama, mbaroi koha e McGonigal, erdhi koha e drejtësisë, mbaroi koha e burgosjeve politike, erdhi koha e fatit të babait tënd shpirtëror.
Më 20 shkurt 1991, luani u zgjua. 20 shkurti është dita e qytetarëve.
20 shkurti është koha e demokracisë, 20 shkurti është dita e pluralizmit, 20 shkurti është koha e lirisë, 20 shkurti është koha e fitoreve, është ëndrra evropiane, është koha e shpëtimit të Shqipërisë, sepse kauza jonë është demokracia.
Sepse kauza jonë është pluralizmi.
Sepse kauza jonë është dinjiteti njerëzor.
Sepse kauza jonë është e ardhmja evropiane e Shqipërisë.
Sepse kauza jonë është ripopullimi i Shqipërisë.
Kauza jonë është nxjerrja e shqiptarëve nga varfëria.
Miq, o sot, o kurrë, ta bëjmë Shqipërinë si Europa.
20 shkurti, gati për fitore. Ne jemi bashkë, ne jemi të pandalshëm, ne jemi fitorja.
Zoti ju bekoftë, Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti ju bekoftë ju fitimtarë, shpëtimtarët e kombit.
Fitore, fitore, fitore!