Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka reguar sot në rrjetet sociale, ku është shprehur se qëndrimi i Rusisë dhe Kinës në mbështetje të Serbisë në OKB tregon aleancën e afirmuar të Beogradit me këtë bosht kundër stabilitetit në rajon.
Mediu në postimin e tij thekson se kjo situatë duhet të shihet qartë nga shqiptarët pasi në rajon po krijohen situata destabilizuese si militarizimi i Serbisë, problemet në Malin e Zi e Bosnje dhe provokimet në Kosovë.
Sipas tij vendi ka nevojë për një strategji të sigurisë kombëtare e cila duhet debatuar dhe analizojë gjithë këto faktorë dhe jo për strategji e cila miratohet pa asnjë diskutim në parlament si një letër pa vlerë.
“Qëndrimi i Rusisë dhe Kinës në OKB në mbështetje të Serbisë, krahasimi i Kosovës me Gazën dhe kundërshtimi i mbështetjes ushtarake të SHBA për Kosovën, tregojnë qartë një aleancë të afirmuar të Serbisë me një bosht që është Rusia dhe Kina, kundër stabilitetit në Ballkan, kundër Ballkanit si pjesë e BE dhe NATO-s.
Shqipëria dhe shqiptarët duhet ta shohin qartë këtë situatë e cila po tenton të destabilizojë Ballkanin, nëpërmjet militarizimit të Serbisë, krijimit të problemeve në Malin e Zi, Bosnjë dhe provokimeve ushtarake në Kosovë.
Shqipëria ka nevojë për një strategji të sigurisë kombëtare e cila duhet debatuar dhe analizojë gjithë këto faktorë dhe jo për strategji e cila miratohet pa asnjë diskutim në parlament si një letër pa vlerë”, u shpreh Mediu.