Prokuroria e Posaçme njoftoi nëpërmjet një deklarate të gjatë dhe të detajuar se ka dërguar për gjykim disa persona, të cilët akuzohen se kanë mashtruar shtetas italianë nëpërmjet call-center, në një vlerë rreth 1.4 milionë euro.
Emrat e përfshirë në këtë skemë janë “peshq të vegjël” dhe tërësisht anonimë për publikun, megjithëse mashtrimin e pretenduar nga SPAK-u është i konsiderueshëm.
Por, në një rast tjetër, ku vlera e mashtrimit është shumë herë më e lartë, në shumën e 2.4 miliardë euro, prokurorët e posaçëm nuk kanë kryer asnjë lloj verifikimi.
Në këtë rast mashtrimi gjigant, por të pahetuar nga SPAK-u, është i përfshirë Amant Josifi, ish-këshilltar i ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe ortak i hershëm biznesi me Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit Edi Rama.
Josifi akuzohet nga autoritetet spanjolle se qëndron në kupolën e organizatë kriminale ndërkombëtare, e cila ka mashtruar mijëra qytetarë europianë nëpërmjet call-center-ave.
Policia dështoi ta arrestonte Josifin në Tiranë në nëntor të vitit 2022, pas një operacioni që u dekonspirua nga vetë autoritetet shqiptare.
SPAK-u, struktura përgjegjëse për hetimin penal dhe pasuror të anëtarëve të grupeve kriminale, prej më shumë se një viti nga shpërthimi i skandalit me përmasa kontinentale, nuk guxon të nisë procedurat ndaj Amant Josifit.
Legjislacioni shqiptar i jep të gjitha mundësitë SPAK-ut që të nisë hetim pasuror për këdo shtetas shqiptar, i cili, edhe pse akuzohet për kryerjen e veprave penale jashtë shtetit, dyshohet ose më së paku ka indicie se ka transferuar përfitime kriminale drejt vendit tonë.
SPAK-u raporton në mënyrë periodike për nisjen e hetimeve pasurore apo edhe sekuestrimin e parave të individëve që janë përfshirë në vepra kriminale jashtë Shqipërisë.
Por, në rastin e Amant Josifit, ish-këshilltar i ministres Olta Xhaçka dhe një ish-ortak biznesi i Olsi Ramës, nuk ka pasur asnjë iniciativë të tillë.
Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se kompania kryesore e Josifit në Shqipëri, “Odyssey” shpk, vijon të jetë aktive.
Shoqëria është krijuar në vitin 2019 dhe ka objekt aktiviteti të gjerë, i cili nis nga telekomunikacioni e deri tek investimet në turizëm.
Pak muaj më parë u raportua se Amant Josifi u ndalua në Dubai për llogari të autoriteteve spanjolle.
Ndërkohë, në Shqipëri, ku besohet se ai ka drejtuar rrjetin e call-center-ave mashtrues, asnjë autoritet nuk merr guximin të hetojë mikun e familjes kryeministrore, përtej deklaratave të kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, i cili thekson se të gjithë janë të barabartë para ligjit./ Syri.net