“Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, Gregory Kehoe dhe Joe Reeder kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale, pasi sipas tyre nuk janë paguar për punën që kanë bërë.
“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Associates Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës, dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të kësaj kompanie.
Lidhur me këtë lajm, ka reaguar menjëherë Ministria e Drejtësisë në Kosvë e cila është shprehur se në asnjë moment nuk i ka vonuar pagesat për mbrojtjen e të akuzuarve që po mbahen në Hagë.
“Ministria e Drejtësisë në asnjë moment nuk i ka vonuar pagesat për mbrojtjen e të akuzuarve që po mbahen në Hagë. Bazuar në legjislacionin në fuqi, MD-ja nuk mund të paguajë më shumë se një avokat”, thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri.